Ali Abaz Skëndi, i quajtur ndryshe baba Ali Tomori, u lind më 1893 në fshatin Shalës në Tepelenë. Ishte i biri i Abazit, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë për nëpunës në Stamboll dhe emëruar në Kozan të Greqisë, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1902 Abazi kthehet në Shqipëri dhe i prirur të ndikojë sadopak në lëvizjen autonomiste shqiptare, i bashkëngjitet veprimit energjik të klerikëve bektashianë. Ai vendoset në teqenë e Prishtës, në Skrapar, e njohur në atë kohë për veprimtarinë atdhetare në mënyrë të veçantë në shpërndarjen e librave shqip në krejt jugun e Shqipërisë. Falë përkushtimit të tij të plotë, Abaz Skëndi merr dorë tek babai i teqesë dhe bëhet myhib ( shkalla e parë e praktikantëve mistik të bektashizmit.) Deri sa ndërron jetë në vtin 1911, ky shqiptar i madh i shërben me devotshmëri kombit të vet.
Ali Abaz Skëndi kryen arsimin fillor në Berat, ndërsa të mesmen ne Kozan ku mëson, veç greqishtes, edhe gjuhët arabe e turke. Në vitin 1913 kthehet në atdhe dhe vazhdon punën e të atit në teqenë e Prishtës. Mbas masakrës së vitit 1914 nga ana e andartëve grekë, detyrohet të marrë rrugën e mërgimit në Kajro të Egjiptit. Atje bie në kontakt me shoqëritë patriotike, u njoh me idetë e rilindasve, u ndërgjegjësua për rolin e klerikut bektashi në shërbim të shqiptarizmit. Në këtë kohë studioi me themel letërsi dhe teologji islame, shkroi poezi dhe ese të karakterit filozofik e didaktik. Duhet përmendur këtu përmbledhja rreth 300 faqe "Mësime margaritarësh" me studime për njerëzit e mëdhenj, një pjesë e të cilave u ribotua në Shqipëri më 1934 nën titullin "Xhevher".
Baba Aliu kthehet në atdhe për të dhënë ndihmesën e vet në shërbim të kombit. Nis veprimtarinë fetare si baba në teqenë e Kulmakut, ku thirret baba Aliu i Tomorit. Në vitin 1921- 1923, botoi gazetën "Reforma", e cila bëhet propogandiste e zjarrtë e idealeve rilindase, lufton "helmin e fashzimit", përkrah tolerancën fetare e bashkëpunimin për të mirën e atdheut. Në këtë gazetë u pasqyrua Kongresi i parë bektashian i Prishtës, ashtu siç zuri vend të rëndësishëm edhe Kongresi kishtar ortodoks i Beratit, që shpalli kishën autoqefale shqiptare.
Baba Aliu ishte klerik patriot dhe intelektual përparimtar, mbështetës i ideve për një Shqipëri demokratike dhe europiane. Më 1924 mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë. Fjala e tij në ceremoninë e rastit të tërheq vëmendje për profecinë e hidhur; " I shenjtëruari dëshmor i atdheut Avni Rustemi!... E çuditshme se më të shumtët e burrave të mirë, burrave të drejtë, burrave idealistë, janë ndarë nga kjo botë, kush viktimë e plumbit si ti, o Avni i dashur, kush prej helmit në burg e arrati". Dhe e përfundon kështu: "Fli i qetë, Avni! Prehu në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të ndjerë, pranë regjimentit apostolik të rilindjes shqiptare".
Baba Aliu përkrahu luftën çlirimtare, luftoi bishën fashiste që pllakosi vendin, bekoi luftëtarët e lirisë, priti e përcolli në teqe pa bërë dallime politike. Mbas çlirimit, me akuza false e gjyqe të inskenuar, u vranë e u burgosën mijra intelektualë duke eliminuar kësisoj elitën tonë patriotike. Në këtë kuadër, baba Aliu i Tomorit u dënua nga gjykata ushtarake në Gjirokastër me të njëtën akuzë standarte si gjithë të tjerët dhe u pushkatua më 14 janar 1948. Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qënë; "Ruani dorshkrimet e mija. Rroftë Shqipëria